Gjykata lë në fuqi masat e sigurisë, arrest në burg ndaj Jamarbër Malltezit 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Jamarbër Malltezin. Dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Jamarbër Malltezi u arrestua pasditen e së shtunës në aeroportin e Rinasit, pas kërkesës së SPAK dhe urdhër arrestit të miratuar nga GJKKO.

Sot, Gjykata e Posaçme vendosi ta lërë në fuqi të njëjtën masë sigurie.

Jamarbër Malltezi kërkoi shfuqizim të masës së sigurisë, ndërsa avokatët e tij pretenduan se nuk ka vepër penale.

Por trupa gjykuese nuk i mori parasysh këto kërkesa. Pas seancës, avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, tha se me këtë vendim cënohet parimi i sigurisë juridike dhe se provueshmëria është e një standardi të ulët.

Klodian Skënderi, Avokati i Jamarbër Malltezit: Qëndrimi jonë që në rastin konkret nuk ka vepër penale. Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve, të cilat as nuk janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale. Qëndrimi jonë me akuzat e atribuara, qëndrim mohues, këtë e them me bindje për aq sa mundëm t’i shihnim fashikujt. Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase,është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime, këtu në këtë vend po cënohet parimi i sigurisë juridike.

Edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi u la në fuqi masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.