GJKKO: Bojkoti i avokatëve, i paligjshëm! Ish-Presidenti Meta ankohet për shtyrjet e seancave, kërkon zgjidhjen e problemit

Gjykata e Posaçme e konsideron të paligjshëm bojkotin e avokatëve.

Sipas trupës gjykuese, Dhoma Kombëtare e Avokatisë është një organizatë publike dhe si e tillë, nuk ka të drejtë të bojkotojë seancat gjyqësore.

Megjithatë ky qëndrim hasi në kundërshtitë e avokatëve që ndodheshin në sallë si publik, të cilët pretendojnë së urdhërin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë duhet ta zbatojnë, sikundr gjyqtarët i binden Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ndërkaq, SPAK-u i kërkoi Gjykatës pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën, kërkesë të cilën ky i fundit e kundërshtoi.

“Sikurse e dini nga përvoja në këtë çështje, ashtu sikurse edhe prokurorët, unë kam qenë i pranishëm që prej ditës së parë. Mungesa e avokatëve po përdoret në mënyrë abuzive për pezullimin e afateve të paraburgimit, në mënyrë që të mos më njihet asnjë ditë burg. Nuk e kuptoj konfliktin mes avokatëve dhe Gjykatës. Unë nuk mund t’i kërkoj avokatit tim të humbasë licencën. E kundërshtoj kërkesën e prokurorisë për pezullimin e afateve të paraburgimit. Unë jam këtu dhe dua që gjykimi të vijojë, përndryshe ky konflikt është i stisur. Unë kam kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit. Nuk jam shkak i këtij konflikti. Konflikti është i stisur nga shokët e Ergys Agasit”, deklaroi Ilir Meta.

Të njëjtën linjë qëndrimi mbajti edhe ish-deputetja Monika Kryemadhi.

“Është shpërdoruar e drejta jonë për tu mbrojtur. Kush do të vijë në sallat e gjyqit për të na mbrojtur? Unë kërkova një javë më shumë për një arsye timen shëndetësore dh eu ndjeva e përdorur kriminalisht sepse përdorimi i shtyrjes u bë shkak që zotit Meta t’i pëzullohen afatet e paraburgimit për një javë”, tha Kryemadhi.  

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e shtyu seancën për në datën 15 tetor për shkak të pamundësisë për të vijuar procesin.

Ndërkohë, dy avokatët e pranishëm në sallë si publik, Esmeralda Rama, që përfaqëson Monika Kryemadhin, dhe Bujar Mustaj, avokati i Ilir Metës, u gjobitën me nga 5 mijë lekë secili.

Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për ish-presidentin.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.