Të paktën tetë persona kanë vdekur gjatë përpjekjes së dështuar për të kaluar Kanalin Anglez nga veriu i Francës, bënë të ditur autoritetet detare franceze më 15 shtator.
Incidenti ndodhi të premten, pak para mesnatës, kur autoritetet panë një anije, që po barte dhjetëra persona. Anija po përballej me vështirësi dhe gjendej në afërsi të bregut në qytetin verior të Ambleteuse.
Një anije shpëtuese franceze u dislokua në atë zonë dhe shërbimet e shpëtimit ofruan ndihmë mjekësore për 53 emigrantë që u nxorën në breg, u tha në deklaratën e autoriteteve detare të Francës.
“Pavarësisht ndihmës emergjente të ofruar, tetë persona kanë vdekur”, u tha në njoftim.
Në njoftim u shtua se asnjë person tjetër nuk është gjetur gjatë kërkimeve në det, shkruan REL.
Incidenti i fundit ndodhi pothuajse dy javë pasi një anije me emigrantë u fundos në Kanalin Anglez, teksa emigrantët po tentonin të arrinin në Britani nga veriu i Francës. Të paktën 13 persona vdiqën, sipas autoriteteve.