Abuzimit me çmimet e shezlongëve gjatë sezonit turistik i ka ardhur fundi. Në mbledhjen e fundit, qeveria miratoi një vendim sipas të cilit të gjitha stacionet e plazhit në bregdetin shqiptar nuk duhet të kalojnë çmimin maksimal që do të vendoset nga bashkitë përkatëse.
“Këto ndryshime vijnë pasi çdo vit kemi pasur abuzime. Pavarësisht politikave të ndryshme, janë gjetur hapësira për të abuzuar. Zonat që pritet të preken më shumë janë ato më të populluarat, siç është plazhi i Durrësit, ku zonat janë më të ngjeshura”, tha eksperti për çështjet e turizmit, Feriolt Ozuni.
Në plazhet e Fierit, Durrësit, Vlorës, Himarës dhe Shkodrës, bizneset mund të aplikojnë për stacion plazhi edhe nëse nuk kanë hotel apo bujtinë pranë, por me kushtin që të mos vendosin më shumë se 50 çadra.
“Kemi shumë struktura akomoduese që kanë kapacitete për më shumë se 50 turistë dhe kjo i kufizon, pasi paketa e tyre e shërbimeve përfshin edhe shezlongët. Vendosja e këtij limiti mund të sjellë problematika”, tha Ozuni.
Çmimet maksimale të vendosura nga bashkitë për plazhet shqiptare nuk do të tejkalohen gjatë gjithë sezonit turistik dhe do të rishikohen çdo vit.
