Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur sërish me tensione nga deputetët e opozitës.
Deputetët e opozitës janë rreshtuar para foltores me pankarta në duar, teksa nuk ka munguar zhurma nga bilbilët.
Ndërkohë, nënkryetarja e parlamentit, Ermonela Felaj ka bërë thirrje që seanca të vijojë normalisht, në nder të 7-8 Marsit.
“Sot është një ditë e veçantë. Në respekt të kësaj dite, të 7-8 marsit të urojmë mësuesit, edukatorët dhe pedagogët. Mendoj që do t’ia vlente sado pak respekt. Nuk kërkoj t’ju imponohem, por sjellja juaj sot duhet të ndryshonte në respekt të këtyre ditëve. E çelim seancën plenare”, tha ajo.
Ndërkohë ditën e sotme pritet të diskutohet projektligji për “burimet ujore”, më tej do të jetë projektligji për “Turizmin”. Po ashtu, në rend të ditës është edhe projektligji për “Investimet Strategjike”, si dhe projektligji për “Mbrojtjen e konkurrencës”.