Kur vjen puna për të mbrojtur dhe për t’i dalë në krah të preferuarit të tyre, fansat e Luiz Ejllit duket se nuk e kursejnë as Kiara Titon.
Të gjitha ngjarjet e ndodhura së fundmi mes moderatores dhe këngëtarit dhe reagimet që i pasuan, nuk iu kanë pëlqyer ndjekësve dhe fansave të çiftit. Për të qenë më konkretë, kanë qenë reagimet dhe sjelljet e Kiarës, ato që nuk iu kanë pëlqyer fansave.
Kjo gjë është lehtësisht e dukshme, në çdo rrjet social ku është bërë një postim për Kiarën. Si nëpër faqe të ndryshme, ashtu edhe në profilin e saj, shihen qindra komente kundër Kiarës, deri edhe ofendime e fjalë të rënda.
Pakënaqësia dhe revolta e fansave, reflektohet edhe në numrin e ndjekësve të Kiara Titos në “Instagram”. Që prej Prime-it të së martës, moderatorja ka humbur më shumë se 10 mijë ndjekës në rrjetin social dhe numri vijon të ulet çdo moment.

Çfarë ndodhi gjatë dhe pas Prime-it të së martës?
Gjatë spektaklit të “Big Brother VIP”, jo vetëm që nuk pati një sqarim mes Kiarës dhe Luizit, por debatet u shtuan edhe më shumë. Në përfundim të spektaklit, “Vëllai i Madh” surprizoi vajzat me një trupë balerinësh, te të cilët shkoi edhe Kiara për të kërcyer. Kjo gjë nuk i pëlqeu aspak Luizit, e cili e shprehu pakënaqësinë e tij si me fjalë ashtu edhe me gjuhën e trupit. Kur Kiara u rikthye pas kërcimit, Luizi iu drejtua me fjalët: “Mezi paske pritur moj vajzë, vazhdo moj, të paktën ta di”, ndërsa moderatorja nuk reagoi në atë moment.
Çifti më pas pati një bisedë në orët e vona, ku sërish nuk u sqaruan, përkundrazi marrëdhënia e tyre shkoi edhe më keq nga sa ishte.