Familja në krizë, vëllezërit po vriten për pronat: Dy raste brenda pak orësh në Lushnje dhe Mat

Miks Albania

Konfliktet brenda familjes shpesh herë kanë përfunduar me dhunë fizike, ku jo pak herë ka përfunduar edhe në viktima.

Fëmijë që dhunojnë prindërit, sherre mes vëllezërve apo motrave janë kthyer në lajmet kryesore të kronikës së zezë në vendin tonë. Vrasje me armë zjarri, plagosje me sende të forta dhe grushtime, janë “mënyrat” më të përdorura nga protagonistët, që nuk shfaqin pendim dhe mëshirë për familjarët e tyre.

Por çfarë po ndodh me familjet shqiptare?

Prona, në shumicën e rasteve është “molla e sherrit”, të konflikteve që janë regjistruar brenda familjes. Vetëm këtë të mërkurë, u shënuan dy raste dhune në familje, njëra prej të cilave ishte më e rëndë.

Dy vëllezër në Lushnje u konfliktuan me njëri-tjetrin për çështje prone. Njëri prej tyre e goditi tjetrin me sëparë, ndërsa ai iu kundërpërgjigj me armë zjarri.

Sipas policisë, njëri nga vëllezërit, ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësorem për shkak të plagëve që ka marrë në kokë. 77-vjeçari ishte ai që me një armë zjarri pistoletë,  ka vënë në rrezik jetën e vëllait të tij.

Por pak minuta më pas, një tjetër ngjarje brenda familjes u regjistrua edhe në Mat. Edhe në këtë rast, prona ka qenë “molla e sherrit” mes dy vëllezërve. Policia thotë se një 61-vjeçar është vënë në pranga pasi kishte goditur vëllanë e tij me sende të forta për motive pronësie, duke i shkaktuar dëme të mëdha në fytyrë.

Shkaqet e krimeve në familje

Situata ekonomike dyshohet të jetë një nga shkaqet kryesore të krimeve brenda familjes. Po aq të rëndësishme janë edhe kushtet sociale në vendin tonë.

Të gjendur në vështirësi për të përballuar jetën, vëllezërit po vrasin vëllezërit pa u menduar dy herë. Moshat në të cilën ndodhin këto konflikte janë mbi 60-vjeç, çka ngre dyshime se zënkat e tyre mund të kenë edhe shtysa të brendshme nga familjet reciproke që kanë krijuar.

Dhuna në familje është një fenomen që bashkëjeton me ne prej shumë vitesh, dhe për aq kohë sa problemet me pronat nuk kanë marrë zgjidhje, ato do të vazhdojnë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.