Eurostat: Të rinjtë shqiptarë të privuar nga dëshirat, vështirësi për qiranë

Të rinjtë shqiptarë kanë vështirësi për të përballuar pagesa të ndryshme si qiranë e një apartamenti, blerjen e një makine, shpenzime për kohën e lirë apo edhe ikjen për pushime vjetore larg shtëpisë.

Kjo do të thotë që ata janë të privuar nga disa dëshira për të bërë jetën e tyre më të mirë.

Pikërisht privimi material i të rinjve në Europë për vitin 2021, është marrë në analizë nga Eurostat, por për shqipërinë të dhënat janë të disponueshme deri në vitin 2020.

Sipas statistikave të Eurostat, në Bashkimin Europian në vitin 2021, shkalla e privimit të rëndë material dhe social midis të rinjve të grup-moshës 15-29 vjeç ishte 6,1%.

Për Shqipërinë, ky tregues është shumë më i lartë, në 34%, duke shënuar rekord negativ në Europë.

Edhe në nivel rajonal Shqipëria qëndron në krye të listës. Përqindjen më të ulët të privimit material dhe social e ka Serbia me 10.4% në 2020-n pasuar nga Maqedoninë e Veriut, me 14.9% dhe Malin e Zi me 22.3 %.

Ndërsa në treguesin e privimit material, Shqipëria ka diferencë me vendet e rajonit, në indikatorin tjetër, që mat rrezikun për të qenë i varfër, vendi ynë së bashku me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, janë pothuajse në të njëjtin nivel, me rreth 25% të grupmoshës nga 15-29 vjeç që është në rrezikun për të qenë të varfër.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.