“Është e frikshme të të thonë se ke kancer”, Mbreti Charles ndan përvojën e tij me pacientë me kancer

Mbreti Charles ka ndarë një mesazh prekës në lidhje me përvojën e tij pasi u diagnostikua me kancer. Ai e ka cilësuar si një eksperiencë “shkurajuese dhe frikësuese”.

Mesazhi i tij vjen 15 muaj pas shpalljes publike të diagnozës, gjatë së cilës ai është tërhequr për periudha të caktuara nga angazhimet publike për t’iu nënshtruar trajtimeve mjekësore.

Pavarësisht sfidave, monarku britanik është tashmë plotësisht aktiv dhe madje ka nisur edhe udhëtime jashtë vendit.

Deklarata e Charles-it u drejtua posaçërisht ndaj pacientëve me kancer që ishin ftuar në Pallatin Buckingham, në kuadër të një aktiviteti për të njohur dhe vlerësuar punën e organizatave që luftojnë kancerin.

76-vjeçari falënderoi nga zemra të gjithë ata që kujdesen dhe mbështesin mbi 390 mijë persona që diagnostikohen çdo vit me këtë sëmundje në Britani, si dhe ata që punojnë për gjetjen e trajtimeve efektive.

“Çdo diagnozë është një përvojë frikësuese për personin dhe të afërmit e tij. Si një statistikë mes shumë të tjerëve, mund të dëshmoj se kjo përvojë mund të nxjerrë në pah edhe anën më të mirë të njerëzimit”, shkruan ai në mesazhin e tij.

Më tej, ai theksoi se kjo sfidë personale i ka rritur edhe më shumë vlerësimin për punën e jashtëzakonshme të organizatave bamirëse dhe profesionistëve që angazhohen çdo ditë në përballjen me këtë sëmundje.

“Momentet më të errëta të sëmundjes shpesh ndriçohen nga dhembshuria më e madhe njerëzore”, përfundoi ai.

Mbretëroi Charles u diagnostikua me kancer pas një operacioni rutinë për një problem me prostatën.

Megjithatë, Pallati Buckingham ka sqaruar se forma e kancerit nuk lidhet me prostatën. Ai vijon trajtimet mjekësore në mënyrë të rregullt, ndërsa rikuperimi i tij përshkruhet si “shumë pozitiv”, siç reflektohet edhe në angazhimet e shumta që ka brenda dhe jashtë vendit.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.