Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori, Enver Petrovci

Aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar, Enver Petrovci është ndarë nga jeta, në moshën 71-vjeçare.

I lindur më 28 shkurt 1954 në Prishtinë, Petrovci ishte një ndër figurat më të shquara të artit skenik në hapësirat shqiptare. Fillimisht kreu studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, për të vazhduar më tej në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Gjatë një karriere të gjatë e të suksesshme, ai la gjurmë të pashlyeshme si në rolet klasike, ashtu edhe në interpretimet moderne, duke fituar vlerësimin e publikut, kritikëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Enver Petrovci ishte gjithashtu një prej themeluesve të Teatrit “Dodona” dhe Shkollës së Aktrimit në Prishtinë, duke dhënë kontribut të çmuar në formimin e brezave të rinj të aktorëve.

Humbja e tij lë një boshllëk të madh në kulturën dhe artin shqiptar.

Lajmi për ndarjen nga jeta të artistit të madh është konfirmuar edhe nga Teatri Kombëtar i Kosovës, i cili në një njoftim zyrtar shpreh “pikëllim të thellë” dhe u dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.