Emigrantët e Gjadrit do të kthehen nesër në Itali 

Miks News

12 emigrantët që ndodhen në kampin e Gjadrit do të kthehen në Itali nesër. 

Lajmi bëhet i ditur nga ANSA, e cila raporton se emigrantët do të nisen të shtunën nga Shëngjini me një anije të Marinës Italiane për t’u kthyer në Bari, nga ku do të dërgohen më pas në një qendër për azilkërkuesit në territorin italian. 

Vendimi i autoriteteve italiane erdhi vetëm pak orë pasi gjykatësit e seksionit të emigracionit në Gjykatën e Romës nuk konfirmuan dërgimin në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të azilkërkuesve nga Egjipti dhe Bangladeshi që u shpëtuan natën e 13 tetorit në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane. 

Vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, por me përcaktimin si vende të sigurta të shteteve të origjinës prej nga vijnë emigrantët, sipas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, dhënë më 4 tetor. 

Sipas kësaj gjykate, që një vend origjine të quhet i sigurt, ai duhet të jetë i tillë në të gjithë territorin e tij dhe kundrejt çdo individi, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. 

Italia i quan vende të sigurta origjine Egjiptin, Bangladeshin apo Tunizinë, por Gjykata e Romës thotë se sipas përcaktimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë ato nuk mund të konsiderohen të tilla. 

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.