Elsa Lila rikthehet në Festival pas 25 vitesh me një këngë për të bijën

Këngëtarja e njohur dhe shumë e dashur Elsa Lila është rikthyer pas 25 vjetësh në skenën e “Festivalit të Këngës” në Radio Televizionin Shqiptar. Këngëtarja zgjodhi që në këtë rikthim të vijë pranë publikut me një këngë që i dedikohet së bijës dhe mban emrin e saj Evita.

Këngëtarja është edhe autore e tekstit prekës ku shpreh pritjen e gëzimin për lindjen e vajzës së saj. Ajo zgjodhi për këtë performancë dirigjentin italian Enrico Melozzi, i cili vinte nga Sanremo. Elsa Lila ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur para performances dhe pas saj. Publiku në sallë e mirëpriti këngën e saj dhe e duartokiti fort për rreth 2-3 minuta.

Vajza e Elsa Lilës ndodhej në mesin e publikut për të parë performancën e së ëmës, për ta mbështetur atë por edhe për të shijuar këngën që i dedikohej. Kjo pjesëmarrje në Festival ishte shumë emocionuese për vetë Elsa Lilën por edhe për të gjithë ata që e kanë dashur dhe e duan artin e këngëtares, e cila rikthehet pas një momenti të vështirë në jetën e saj pasi u përball me disa probleme me drejtësinë italiane.

Momenti i ngjitjes në skenë i Elsa Lilës ishte momenti kulminat i kësaj mbrëmje të dytë të Festivalit por padyshim edhe një nga kryesoret që ka për t’u mbajtur mend nga ky edicion i 61.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.