Një studim i publikuar së fundmi në revistën Nature Mental Health ka sjellë një zbulim mbresëlënës: të fjeturit 7 deri në 9 orë në natë mund të ulë rrezikun e depresionit me rreth 22%.
Studiues nga Universiteti i Kembrixhit në Britani dhe Universiteti Fudan në Kinë analizuan të dhënat e gati 290,000 pjesëmarrësve nga UK Biobank dhe arritën në përfundimin se gjumi cilësor është zakoni më i fuqishëm për mirëqenien mendore madje më i rëndësishëm se faktorët gjenetikë.
Por efekti pozitiv nuk ndalet vetëm tek gjumi. Kur ai shoqërohet me zakone të tjera të shëndetshme si:
- aktivitet fizik i rregullt,
- ushqyerje e balancuar,
- konsum i moderuar i alkoolit,
- shmangia e duhanit,
- ulje e qëndrimit të gjatë ulur,
- dhe ndërtimi i marrëdhënieve të qëndrueshme shoqërore, atëherë rreziku për depresion ulej deri në 57%, thekson studimi.
Në një kohë kur çrregullimet emocionale janë gjithnjë e më të shpeshta, kjo është një arsye më shumë për të bërë gjumin prioritet.