Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku një shtetase amerikane dyshohet se është vrarë me thikë në një banesë të marrë me qira në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është S. S., ndërsa në banesë është gjetur bashkëjetuesi i saj, gjithashtu shtetas amerikan, i cili dyshohet të jetë autori i krimit. Ai është shoqëruar në spital për ndihmë mjekësore, pasi ndodhej në gjendje të dehur dhe kishte plagë të lehta në duar të shkaktuara nga mjete prerëse.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të siguruar dokumentimin ligjor të saj.