Një tjetër i mitur ka ndërruar jetë në rrethana të dyshimta në Tiranë, pas mjekimit në spital.
Pas Brian Spahiut dhe foshnjës 8-muajshe, këtë herë viktima është një i porsalindur vetëm 9-ditësh, i cili ka ndërruar jetë pasi dyshohet se kishte nevojë të menjëhershme për një ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas të dhënave, prindërit kanë kallëzuar drejtoreshën e QSUT, Albana Ficon. Po ashtu, mësohet se është kallëzuar edhe drejtoresha e maternitetit E. Demaliaj, për mos krijim të kushteve për personat që vuajnë nga problemet në zemër.
Babai i foshnjës ka deklaruar se djali i sapolindur kishte nevojë për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale pasi kishte transpozicion të enëve të gjakut. Ai denoncon strukturat spitalore se nuk kishte sallë operimi për fëmijë, e as specialistë.
Ndër të tjera mësohet të ketë thënë se ilaçi me të cilin duhet të trajtohej foshnja, përkohësisht mungonte. Ndërhyrja, tregon ai, është bërë në repartin e kardiologjisë
“Spitali nuk dispononte aparaturat e duhura, kjo solli rëndim më shumë të gjendjes së djalit. Mjeku më tha që duhet të urinonte që të pastrohej.”, mësohet të ketë thënë babai.
Kujtojmë se ditën e djeshme një foshnje 8 muajshe ndërroi jetë në pediatrinë në Tiranë, pasi ishte kuruar në spitalet e të dy qyteteve. Sipas burimeve, foshnja 8 muajshe nga fshati Grudë e Shkodrës ndërroi jetë në spital në Tiranë, ku ishte shtruar pas një problemi me zemrën. Foshnja duhej t’i nënshtrohej një transplanti, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Nga ana tjetër, 3 vjeçari ndërroi jetë pasi mjeku Roland Xhaxho e vendosi në narkozë për të kryer një ndërhyrje në dhëmbët e të miturit.