Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzon kërkesën e avokatëve të Fredi Belerit për pavlefshmëri të akteve hetimore.
Në seancën e cila zgjati 2 orë, Prokuroria lexoi kërkesën për gjykim, duke renditur përgjimet dhe vëzhgimet e kryera ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës. Gjithashtu, u relatuan edhe dëshmi të personave që konfirmojnë sipas SPAK përfshirjen e Belerit në korrupsion zgjedhor.
Prokuroria e Posaçme thotë se Beleri ka blerë vota duke u dhënë qytetarëve nga 5 mijë lekë. Prokuroria e Posaçme kërkoi që gjatë shqyrtimit të çështjes të thirren prej saj edhe 8 dëshmitarë.
Në seancën e kësaj të marte, avokatët mbrojtës të Belerit kërkuan edhe përjashtim të trupës gjykuese, kërkesë e cila do shqyrtohet në seancën e radhës.
Beleri u arrestua 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit në të cilat rezultoi fitues. Ai ka kërkuar me ngulm të lejohet të bëjë betimin, por kërkesa është refuzuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit.