Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit duke sjellë pasoja të rënda për jetën.
Si pasojë një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, konkretisht në segmentin rrugor Xibrakë–Labinot Fushë ku dy automjete janë përplasur teksa kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi.
Përplasja ka qenë e fortë dhe për pasojë janë dëmtuar rëndë dy persona, të cilët u transportuan me urgjencë në spital.
Fatkeqësisht, njëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, një tjetër aksident është regjistruar në Kthesat e Murrashit, ku një automjet ka dalë nga rruga, por fatmirësisht pa pasoja serioze për drejtuesin e mjetit.
Rrethanat e plota dhe shkaqet e saktë të këtyre ngjarjeve nuk janë ende të qarta, ndërsa grupet hetimore ndodhen në vendngjarje për të kryer verifikimet përkatëse.