Gazment Bardhi ka mbërritur mëngjesin e sotëm ambientet e SPAK, ku pritet të dëshmojë për dosjen “Xibraka”.
SPAK i dërgoi disa ditë me parë deputetit demokrat njoftimin për tu paraqitur në datë 24 maj për të dhënë dëshminë e tij.
Më herët Bardhi pati njoftuar në Facebook se pas deklaratave të tij ishte thirrur nga SPAK për të dhënë një dëshmi, por pa dhënë një datë se kur.
Dosja “Xibraka” u risoll në vëmendje pas kallëzimit që Bardhi pretendoi se bëri ndaj Olsi Ramës disa muaj më parë, por një gjë e tillë nuk figuron në Prokurori.
Sipas Bardhit Olsi Rama është i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë.n Sipas Gazment Bardhit, nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës,
Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.
Laboratori i drogës në Xibrakë:
Grupi i drogës “Xibraka” u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg. Droga u gjet në një magazinë në fshatin Xibrakë 10 km larg qytetit të Elbasanit. Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë.
Në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë dhe më gjerë. Hetimet nisën pas informacionit të përcjellë nga autoritetet gjermane që në datën 17.12.2014, për trafik kokainë nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
“Sot kam depozituar në SPAK kallëzimin për deputetin e paturpshëm Gazmend Bardhi, i cili ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin tim publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, duke shpikur një lidhje totalisht inekzistente mes meje dhe një grupi trafikantësh të drogës”, njofton Olsi Rama.
“Unë nuk jam politikan dhe s’kam asnjë lidhje tjetër me politikën, përveçse si votues i tim vëllai ashtu si qindramijëra të tjerë dhe arsyeja kryesore e neverisë time të hershme me politikën është pikërisht kthimi i shpifjeve në një normalitet të jetës publike. Uroj shumë që SPAKU, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi. Pra po shkatërron vetë shoqërinë dhe po hedh në erë në mënyrë të pariparueshme themelet e edukatës për rininë.
Jam i gjithi në dispozicion të hetimit të atyre që deputeti i pacipë i quan prova mbi përkatësinë time në një grup kriminal trafikantësh droge, ndërsa unë nuk mund t’i quaj ndryshe përveçse si shpifje për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.
Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.
Solidariteti i këtyre të fundit gjatë këtyre ditëve më lumturon, po nuk më mjafton. Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain një trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e beson, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit.
Dikush, dikur, diçka, duhet të bëhet sebep që ky turp kombëtar i pashoq me asnjë vend në Europë – ku njerëz me mandate nga populli, me një mikrofon në ekran apo me një portal në internet gënjejnë e sajojnë po aq shumë sa marrin frymë – të goditet nga e vërteta e drejtësisë së re. Nëse është vërtetë e re natyrisht”, shprehet ai.