Djali i pronarit të ujit “Lajthiza” plagos me armë zjarri një vajzë dhe dy vëllezër në një festë

Miks Albania

Një festë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një plumb ka plagosur tre persona të së njëjtës familje, motër dhe vëllezër.

Personi që ka qëlluar është Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i “Ujit Lajthiza”.

Edison Elezaj mbante armë pa leje, ndërsa mbeten të dyshimta rrethanat e plagosjes së tre personave në një lokal te “Rruga e Kavajës” në Tiranë.

“Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.

Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.

Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E”, bën me dije Policia.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.