Shija unike e kafesë turke bëri që kafeja turke të përfshihej në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s në vitin 2013. Që atëherë, 5 dhjetori festohet si “Dita Botërore e Kafes Turke”.
Me aromën e saj fantastike që mbush shtëpi, zyra, kafene dhe madje edhe rrugë të tëra, kafeja turke është një pjesë thelbësore e traditës turke dhe një nga përvojat më të spikatura dhe më të këndshme të të qenit në Turqi. Roli i kafesë në këtë vend është aq i madh sa bisedat pas ngrënies nisin me të njëjtën pyetje: “Çfarë kafeje do të donit të pini?”.
Kafeja turke ka qenë në qendër të jetës shoqërore që kur u krijua për herë të parë në këtë zonë në shekullin e 16-të. Kafeja u përhap jashtë territorit osman dhe i kapërceu kufijtë me ritualet, traditat dhe rolin e saj. Është interesante të përmendet se fjala turke për mëngjes është “kahvaltı”, që fjalë për fjalë përkthehet “para kafes”. Sa herë që vizitoni një familje në Turqi, gjithmonë do t’ju ofrohet kafe turke si një pije mirëseardhjeje.
Metoda e zierjes së kafesë turke ka mbetur e pandryshuar për shekuj dhe kjo është një nga arsyet e veçantisë së kësaj pije. Kafeja turke përgatitet duke zier kokrrat e kafesë të bluara imët në ujë të ftohtë, në cezven e njohur. Pasi të vlojë derisa të bëhet shkumë, hidhet në filxhanë kafeje.
Ndryshe nga kafetë e tjera, kafeja turke hidhet në një filxhan me llum dhe shërbehet gjithmonë me një gotë ujë.
Metodat e bluarjes dhe përgatitjes së kafesë turke mund të ndryshojnë në varësi të përbërësve dhe zakoneve brenda vendit.