Kryeministri Edi Rama ka bërë publike shifrat e dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive që kanë përfshirë vendin gjatë 48-72 orëve të fundit. Në një deklaratë për mediat, ai njoftoi se 207 shtëpi janë prekur nga flakët, ndërsa 40 prej tyre janë djegur plotësisht.
“Jam këtu për të ndarë me ju disa përshtypje dhe patjetër disa të dhëna lidhur me 48, 72 orët e fundit, të cilat ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën zhvillim më të madh sesa çdo herë tjetër më parë në këtë moment,” tha Rama, duke shprehur ngushëllimet për familjet që kanë humbur të afërmit dhe solidaritetin për ata që kanë humbur shtëpitë.
Kryeministri theksoi se po kryhet inventarizimi i plotë i dëmeve në bashkëpunim me autoritetet përkatëse dhe u garantoi qytetarëve se do të kenë mbështetjen e plotë të shtetit.
“Askush nuk do të jetë vetëm dhe nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë dhe pa e pasur në krah shtetin, për t’u rikthyer në një shtëpi më të mirë dhe më të fortë,” u shpreh ai.
Në deklaratë, Rama informoi gjithashtu se deri më tani janë humbur 3,916 krerë bagëti, për të cilët do të ketë kompensim të plotë dhe pa vonesa.
“Do të kompensojmë një për një, pa asnjë diskutim, ndërkohë që inventarizimi vazhdon,” tha ai, duke shtuar se për ata që kanë humbur shtëpitë do të ndërtohen banesa të reja.
Në fund, kryeministri u shpreh me vendosmëri:
“Unë jam shalqi me provë në këtë pikë. Ata që kanë pasur dëme, do të kompensohen.”
