Reshjet e para të dëborës në juglindje për këtë sezon kanë tërhequr turistë nga i gjithë vendi.
Veçanërisht fshati turistik i Dardhës, këtë fundjavë ishte plot me vizitorë, për shkak edhe pistës se vetme që ndodhet në këtë zonë për të bërë ski. Por pista nuk ishte hapur pasi reshjet e dëborës ishin të paparashikuara.
Qytetarët kanë shijuar bardhësinë e dëborës, gatimet karakteristike të zonës, por dhe muzikën që ofrojnë lokalet.
Pavarësisht reshjeve të borës, rrugët për në qarkun e Korçës janë të kalueshme. Kjo ka bërë që edhe fshatrat e tjerë, si Voskopoja, Boboshtica etj të jenë populluar nga qytetarët të cilët kanë zgjedhur ti kalojnë këtu ditët e gjata të pushimeve të fund nëntorit.