Dalin në dritë të tjera detaje nga vrasja e mbrëmjes së djeshme në fshatin Hot i ri në Shkodër, ku viktimë mbeti 33-vjeçari Valter Fierza.
Sipas të dhënave të deritanishme ka dyshime se ngjarja ka ndodhur pas sherrit për parkimin e makinës dhe autori mendohet të jetë pikërisht fqinji i viktimës.
Konflikti ka nisur mes vëllait të viktimës, Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar në një lokal pranë banesave lidhur me parkimin dhe pretendimet se ishte bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit, fqinji i vëllezërve Fierza, ka marrë armën dhe e ka qëlluar 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.
Ka qenë vëllai i Valter Fierzës ai që e gjeti të vdekur jashtë makinës në rrugicën pranë shtëpisë së tyre, e më pas lajmëroi policinë.
Autori është larguar në drejtim të paditur, ndërsa është shpallur tashmë në kërkim nga policia.