Çmimet rriten, pagat jo! 24 vite më tepër duhet të punojmë për të blerë një apartament krahasuar me 2015-n

Me çmimet e apartamenteve që pothuajse janë dyfishuar brenda një dekade dhe pagat që janë rritur me ritme shumë më të ulëta (të indeksuara me inflacionin) një shqiptar mesatar duhet të punojë sot rreth 2 dekada e gjysmë më shumë për të blerë një apartament në kryeqytet.

“Monitor” ka përllogaritur se sa vite punë më tepër nevojiten për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90 metra katror, me supozimin se 70% e të ardhurave të individit me pagë mesatare mujore shkojnë për mbulimin e shpenzimeve të përditshme dhe pjesa e mbetur për shlyerjen e kësteve të kredisë (kur merr kredi në bankë, kjo e fundit kërkon që maksimumi 30% e të ardhurave të shkojnë për shlyerjen e këstit të huasë).

Nga llogaritjet, që marrin në bazë inflacionin, interesat e kredive dhe vlerën në kohë të parasë, rezulton se një pagamarrës mesatar duhet të punojnë 24 vite më tepër për blerjen e një apartamenti prej 90 m2, në krahasim me kohën që i duhej shtatë vite më parë (2015).

Përkeqësimi i aftësisë blerëse brenda një periudhe shtatë vjeçare (2015-2022) lidhet ngushtë me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave ose rënien e tyre në terma realë dhe rritjen e shumës që duhet marrë hua për shkak të shtrenjtimit të ndjeshëm të çmimeve të apartamenteve.

Sipas Indeksit të Pronave publikuar së fundmi, rezulton se çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë është 1,214 euro/m2 në fund të 9 mujorit 2022, nga 870 euro/m2, që ishte në 2015-n, duke u shtrenjtuar me rreth 40%.

Ylli Sula, pohon se në çmimin mesatar përfshihen si apartamentet e reja ashtu dhe ato të vjetra, ndërsa mesatarja e apartamenteve të reja është edhe më e lartë, pasi ndërtimet e reja janë shtrenjtuar me ritme më të larta.

Banka e Shqipërisë, që publikon indeksin Fisher, që mat ecurinë e banesave të reja bëri të ditur se në fund të 6 mujorit të parë 2022, çmimet e apartamenteve ishin rritur me 39%, në krahasim me vetëm një vit më parë.

Ndryshe nga apartamentet që kanë “fluturuar”, pagat reale janë rritur shumë më ngadalë.

Sipas INSTAT, në fund të 6 mujorit të parë, paga mesatare në vlerë nominale ishte rreth 60.6 mijë lekë, nga 45.6 mijë lekë në fillim të vitit 2014, me rritje prej 32%.

Ndërsa e indeksuar me inflacionin (që mat realisht fuqinë blerëse duke marrë në konsideratë dhe shtrenjtimin e çmimeve gjatë të njëjtës periudhë), paga reale është rritur me rreth 20%.

Sa ka kushtuar në Tiranë blerja e një apartamenti me sipërfaqe 90 m2, ndër vite?

Një apartament me sipërfaqe 90 m2 i kushton sot “një tiranasi” mesatarisht 12,7 milion lekë, pa përshirë këtu asnjë kosto shoqëruese si mobilim, sigurim i pronës apo taksa mbi pasuritë e paluajtshme etj. Një individ me pagë mesatare do të duhet të punojë 64 vjet sot që të blejë një shtëpi (duke supozuar që 30% të të ardhurave shkojnë për marrjen e një kredie dhe 70%).

Ndërkohë që për të njëjtin apartament ndër vite individi paguante shumë më pak. Në 2015 një hyrje kushtonte mesatarisht 6.4 milion lekë dhe me pagën mesatare të asaj periudhe, atij do ti duheshin 40 vite punë. (shiko grafikun: Sa vite duhen mesatarisht për të blerë një apartament?)

Përllogaritja e mësipërme merr për bazë të ardhurat e disponueshme të një familje të indeksuara me normën e inflacionit, çmimin mesatar të një metri katror në Tiranë, vlerën në kohë të parasë si dhe normat mesatare vjetore të interesit të kredive sipas Bankës së Shqipërisë.

Diferenca thellohet në 25 vite më shumë për zonën brenda “Unazës së vogël”, ndërsa e vetmja zonë paksa favorizuese për qytetarët duket se vijon të mbetet ajo jashtë “Unazës”.

Negativisht në aftësinë paguese për kredinë pritet të ndikojë dhe shtrenjtimi i normave të interesit të huave hipotekore. Në katër muajt e fundit huaja në monedhën vendase për individët për marrjen e një shtëpie është shtrenjtuar ndjeshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë në tetor, interesi mesatar arriti në 4.87%, nga 3.48% në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Ky është niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2015. Shtrenjtimi i interesave të kredive reflekton politikën shtrënguese monetare që po ndjek Banka e Shqipërisë nga muaji mars i këtij viti, si një mjet për të luftuar inflacionin e lartë. Norma bazë e interesit është rritur nga 0.5% në 2.75% në harkun e shtatë muajve. Rritja e normës bazë nga Banka e Shqipërisë rrit çmimin e injektimit të parasë në sistem, duke e bërë paranë më të shtrenjtë (shiko grafikun: Ecuria e interesave të kredive).

Numbeo: Çmimet e qendrës Tiranë-Athinë-Prishtinë

Sipas Numbeo, një metër katror në qendër të Tiranës kushton mesatarisht 2100 euro, teksa në kryeqytetin e Greqisë, Athinë kushton 2400 euro. Diferenca mes dy qendrave përkthehet në vetëm 16%. Nëse i referohemi pagave mesatare, sërish sipas Numbeo, një qytetar në Athinë paguhet rreth 900 euro, ndërkohë që një pagamarrës në Tiranë, sa gjysma e kësaj vlere.

Pra pavaresisht se në nivel pagash një shtetas shqiptar paguhet sa ½ e një shtetasi grek, në blerjen e një apartamenti në qendër të Athinës ky i fundit paguan vetëm 350 euro më tepër për metër katror, duke zvogëluar kështu kohën e fitimit të pronësisë së një apartamenti. Për të mos shkuar shumë larg, po sipas site-it të mësipërm një apartament në qendër të Prishtinës kushton 40% me pak se një apartament në qendër të Tiranës, ndonëse pagat mesatare për të dy vendet nuk kanë diferencë të theksuar në vlerë Përkeqësimi i aftësisë blerëse të një apartamenti në Shqipëri lidhet ngushtësisht me rritjen shumë më të ulët të të ardhurave në raport me çmimet e këtyre të fundit. /MONITOR/

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.