Kombëtarja shqiptare luajti mbrëmjen e djeshme ndeshjen e fundit të Euro 2024, duke u eleminuar pas humbjes me Spanjën. Kuqezinjtë humbën përballjen me rezultatin 0-1, edhe pse luftuan deri në fund për të ndryshuar rezultatin.
Kjo ndeshje ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, që pavarësisht eleminimit, vlerësojnë kuqezinjtë dhe paraqitjen e Shqipërisë në 3 ndeshjet e fazës së grupeve.
Gazeta “Marca” shkruan se Shqipëria kishte një ekip të fortë, por Spanja ia doli me “planin B”, referuar faktit që iberikët luajtën me formacionin e dytë.
“I ashtuquajturi ‘Plan B’ u vu në jetë me trimëri nga një Dani Olmo i frymëzuar, i cili e dominoi me siguri ndeshjen duke bllokuar një ekip të fortë të Shqipërisë. Ekipi kombëtar spanjoll doli pa asnjë gol të pësuar në çerek finale. Ëndrra e Spanjës vazhdon e pacënuar.“- thuhet në artikull.
Nga ana tjetër, “AS” shprehet se për shkak se tashmë Spanja ishte e kualifikuar për në fazën tjetër, ndeshja përballë Shqipërisë ishte si një stërvitje.
“Ka gatime, që sado erëza t’i shtosh, nuk marrin shije. Loja mes Shqipërisë dhe Spanjës e humbi shijen qëkurse u bë e qartë, që La Roja e kishte siguruar çerek finalen. Ndeshja në Dyseldorf ishte si një stërvitje profesionale.”– thuhet ndër të tjera.
Edhe mediat angleze shprehen se Spanja ishte tepër e fortë për Shqipërinë dhe pretedentja kryesore për të fituar Europianin.
The Sun: “Për fat të keq Sylvinho pati të drejtë. Traineri i Shqipërisë e kishte parashikuar, që edhe ekipi i dytë i Spanjës është mjaft i mirë, për ta fituar Euro2024.”
Daily Mail: “Me qetësi dhe këmbëngulje Spanja vazhdon turneun. Ata treguan këtë mbrëmje buzë Rinit plot pasion shqiptar, se ky ekip është i qendisur me fitore. Për Anglinë humbja e Shqipërisë siguron vazhdimin e turneut. Por nuk ka vend për t’u qetësuar.”