Sot në orën 10:00 ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku do të merret në pyetje sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”. Ai doli nga banesa e tij i shoqëruar nga forca policie, por i buzëqeshur duke thënë një fjali të vetme: “Beteja pa kthim vazhdon!”
Para SPAK e pritën me ovacione mbështetës të tij. “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, ishin brohoritjet njëzëri të këtyre të fundit. Madje një prej demokratëve i tha: Të marrsha të ligat, të marrsha të keqen!
Ndërsa Berisha duke i takuar nga afër tha: “Beteja me botën e krimit vazhdon. Opozita do të fitojë. Jam sot këtu për të përfaqësuar ju, përfaqësuar shqiptarët, përfaqësuar pluralizmin, Partinë Demokratike! Jam këtu për të denoncuar Edi Ramën dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë, që angazhohet në betejë kundër pluralizmit. Ne do fitojmë, fitore, fitore, fitore!”