Besimtarët festojnë Pashkën! Ortodoksët dhe katolikët mbushin kishat për të pritur Ringjalljen e Krishtit

Ortodoksët, katolikët dhe ungjillorët festojnë këtë vit në të njëjtën ditë Pashkën, festën më të rëndësishme në besimin e krishterë.

Me përshëndetjen tradicionale “Krishti u Ngjall”, besimtarët kujtuan Ringjalljen e Krishtit pasi ai u kryqëzua.

Mesnata i gjeti besimtarët ortodoksë dhe ata katolikë në katedralet e kryeqytetit, ku pritën Ringjalljen e Krishtit. Mesha e Shenjtë në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” u drejtua nga Kryepeshkopi Joan Pelushi.

Ndërkohë, mesha u mbajt edhe në Katedralen Katolike të “Shën Palit” në Tiranë, e cila u drejtua nga Arqipeshkvi Imzot Arjan Dodaj.

Besimtarët katolikë dhe ortodoksë përcollën urimet e tyre për më shumë paqe dhe begati në familjet shqiptare.

“Gëzuar, shëndet, mbarësi dhe lumturi për të gjithë!” 

“Gëzuar Pashkët! Krishti u Ngjall, Vërtet u Ngjall! Gëzim, shpresë dhe harmoni për të gjithë!”

Me qirinj të ndezur në duar, pas përfundimit të meshave, besimtarët iu drejtuan shtëpive për të vijuar me ritualet tradicionale të festës së Pashkës.

“Mbarësi, paqe, begati dhe sa më shumë dashuri ndër njerëz!”

“Gëzuar Pashkët të gjithë atyre që besojnë në Krisht!”

Pashka shënon Ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, që simbolizon edhe rikthimin e shpresës për besimtarët.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.