Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk është paraqitur në SPAK ditën e sotme, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Sipas avokatit të tij ai është me virozë, në pamundësi fizike për të zbatuar masën e sigurisë.
Më 30 qershor, do të mbahet seanca e parë për dosjen e ish-klubit sportiv në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
I vënë nën akuzë për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se ka vendosur shtetin në funksion të përfitimeve të dhëndrit të tij, ish-kryeministri i vendit do të ulet në bankën e të akuzuarve për herë të parë pasi dosja i kaloi për gjykim.
I bashkëpandehur në këtë çështje është dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, që SPAK e akuzon për konsumimin e dy veprave penale, korrupsion e pastrim parash, si pasojë e privatizimit të ish-klubit sportiv, Partizani.
Sipas organit të akuzës, Jamarbër Malltezi, ndërtoi në trojet shtetërore të këtij kompleksi sportiv 19 pallate. SPAK thotë se Malltezi përfitoi nga pozita e vjehrrit të tij si një nga 5 trashëgimtarët e këtyre trojeve, përmes procedurave të përshpejtuara të bëra me VKM.
Po ashtu, të përfshirë dyshohen edhe biznesmeni Xhimi Begeja, ndërtuesi, Fatmir Bektashi dhe përfaqësuesja e studios ligjore, Andia Pustina. Të pestë do të përballen me togat e zeza të Gjykatës së Posaçme, me kryesuese, Elsa Ullirin e anëtarë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Beteja e Berishës me SPAK ka qenë e tensionuar. Kryetari i PD, ka hedhur një lumë akuzash ndaj dy prokurorëve që e kanë vënë nën hetim, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, por edhe ndaj drejtuesit të prokurorisë, Altin Dumani. Berisha pretendon se hetimi i tij ka prapavijë politike.