Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar pas masës së sigurisë të caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme, lidhur me aferën e koncesionit të sterilizimit.
Ai shprehet se ka vendosur të mos e ankimojë vendimin, ndonëse thekson se ka rezerva mbi procesion hetimor që ka përfsirë edhe atë. Ai nënvizon se është treguar gjithmonë i hapur në shërbim të zbardhjes së kësaj afere.
Ish-ministri i Shëndetetësisë shton se beson fort që kjo çështje do të zgjidhet dhe imazhi i tij do të pastrohet.
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, zyrtarisht është i proceduar nga drejtësia nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim. Gjykata e Posaçme në datën 16 nëntor, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.
Ky vendim është dhënë pas dosjes së hetuar prej të paktën 3 vitesh nga SPAK në lidhje me çështjen e bujshme të dyshuar si korruptive të sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
Vendimi i gjykatës së Posaçme është ekzekutuar ditën e premte nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe policia. Sipas këtij vendimi, Ilir Beqaj do të paraqitet çdo të premte në ambientet e BKH në orën 15:30. Ndaj tij togat e zeza kanë vendosur edhe masën e bllokimit të pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese duke i penguar daljen jashtë territorit të vendit.
Menjëherë pas këtij vendimi Beqaj është dorëhequr nga drejtimi i Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, post që e mbante prej vitit 2021, ndërkohë ka dhënë dorëheqjen edhe nga grupi negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku gjithashtu bënte pjesë.