BE thirrje qeverisë së Kosovës: Të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në Veri

Bashkimi Evropian i ka kërkuar të shtunën Kosovës që të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në Veri.

BE kërkon që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë është shprehur se dënon dhunën që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe nënvizon se Kosova duhet të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna ka mundur të evitohet, dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”, është thënë në deklaratë.

“Ne ftojmë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që, menjëherë dhe pa kushte, të ndërmarrin masa për qetësuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga secili veprim tjetër i pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”.

Sa i përket Serbisë, BE-ja, “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.

“Bashkimi Evropian, pret nga Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, është thënë mes tjerash në thirrjen e bllokut evropian.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.