Bashkimi Evropian kërkon nga Shqipëria rritjen e kapaciteteve dhe koordinim mes institucioneve për të menaxhuar migracionin dhe azilin në vend.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë prezantimit të projektit “EU 4 Migration” tha se forcimi i kapaciteteve është i nevojshëm pasi emigracioni është sfidë e përbashkët me vendet evropiane.
“Ky projekt do t’i ndihmojë institucionet shqiptare të rrisin kapacitetet e tyre për të menaxhuar migracionin dhe azilin në një mënyrë efektive, transparente dhe, dua të theksoj, humane. Duke forcuar qeverisjen e migracionit, kontribuojmë jo vetëm në menaxhimin më të mirë të flukseve migratore, por edhe në ruajtjen e dinjitetit dhe të drejtave të atyre që kërkojnë mbrojtje. Dua të nënvizoj përpjekjen e vazhdueshme të Shqipërisë për të kontribuar në zbatimin e përbashkët të Planit të Ri të Veprimit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në adresimin e menaxhimit kufitar, kontrabandës së migrantëve, mbështetjes për kthimet dhe forcimin e sistemit të azilit.”
Shqipëria, ndërkohë, ka hartuar dhe strategjinë kombëtare për migracionin 2024–2030 që synon menaxhim më të lartë të kufijve, sistemeve të azilit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme të migracionit.
