Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka mbyllur sot fushatën në sheshin Nënë Tereza në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Belind Këlliçi u shpreh se ishte i vetëdijshëm që gara për Tiranën mund të mos ishte e barabartë, por ishte i bindur për nevojën për ndryshim.
Këlliçi, tha se do ta mbajë premtimin për transportin publik dhe sikur paratë t’i nxjerrë nga dheu.
“Kam hyrë në këtë garë i vetëdijshëm që mund të jetë e pabarabartë, por i vetëdijshëm jam për nevojën e ndryshimit në Tiranë dhe forcën e PD, familjes sime politike. Beteja të dielën është një arsye shumë e madhe për të bashkuar votat.Nuk ka të madh e të vogël e të madh në Tiranë që nuk e di se Belind Këlliçi pas 14 majit do e bëjë autobusin falas në qytet e në fshat.
E kam për gjithë qytetarët këtë mesazh, jo vetëm për qytetarët brenda Tiranës që paguajnë 400 lekë biletën, por e kam për ata qindra e mijëra qytetarë të mi që këtë barrë ekonomike e kanë të papërballueshme e mbi të gjitha për ata që jetojnë në fshat. Kur unë e dhashë këtë premtim të mirëmenduar me ekspertët më të mirë të PD-së, shumëkush bëri pyetjen ku do i gjejmë paratë? Kur paska 430 milionë Euro për inceneratorë fantazëm a nuk ka 16.5 milionë Euro për studentët, pensionistët, për familjet në nevojë? Po mor po ka. Paratë nga dheu do i nxjerrë Belind Këlliçi dhe këtë premtim do ta mbaj dhe do ta bëj realitet pas 14 Majit”, tha Këlliçi.
Këlliçi në rast se vjen në krye të bashkisë, tha se nuk do t’i ndajë punonjësit e administratë në të majtë dhe të djathtë, pasi për të punonjësi i administratës publike është aset kombëtar.
E ndërsa patronazhistët dhe aktivistët i paralajmëroji të paketojnë vetë plaçkat pasi nuk do të kenë më vend në Bashkinë e Tiranës.
Ju jap fjalën, Belind Këlliçi i përket një gjenerate krejt të lirë. Jam rritur në demokraci. Unë nuk i ndaj punonjësit e administratë në të majtë dhe të djathtë. Për mua punonjësi i administratës publike është aset kombëtar. Ama patronazhistët dhe aktivistët të paketojnë vetë plaçkat pse nuk do të kenë më vend në Bashkinë e Tiranës”, shtoi Këlliçi.