Basha akuzon Berishën e Ramën: E shitën revolucionin për karriget e tyre

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Dibra sulmoi edhe një herë paktin mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste që çoi në kthimin në normalitet të parlamentit. Ai u shpreh se revolucioni i Berishës u shit vetëm për karrige.

“ Ajo që pritet është një marrëveshje pazar dhe se është prodhuar një fabul e tërë se revolucioni do të shporrë këtë qeveri. Qeveria ka kaluar që t’i kalojë ligjet sa hapë e mbyll sytë. Pse u dorëzua flamuri i revolucionit? Sot ata që e rrëzuan revolucionin i kanë sytë përdhe. Pse nuk shohin ata po i mbajnë sytë përdhe? Ata duhet të tregojnë se si u katandis kokoshi me një thelë. Kërkuan revolucion. Sot po rrinë si qingja përballë Edi Ramës me shpresën se ky pazar do t’i mbajë në karrigen e radhës. Sa kohë që këtë kanë ndërmend nuk na bashkon gjë me ta”, tha Basha.

Basha tha se partia e drejtuar nga Sali Berisha është pengesë në misionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

“Oferta duhet të jetë e plot, pa dritëhije dhe e qartë. Si mund të ketë drejtësi kur ata që e cilësojnë veten opozitë, sulmojnë institucionin më të lartë të drejtësisë. Në vend që t’i japë qytetarëve alternativë të saktë, bëjnë zig-zake për drejtësinë”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha përsëriti se Partia Demokratike do të mbështesë pa rezerva punën e prokurorisë së posaçme për goditjen e zyrtarëve të korruptuar në çdo nivel.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.