Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 19-vjeçar dhe dy të mitur, të cilët dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve me dhunë.
Operacioni i koduar “January” u realizua nga Komisariati Nr. 2, Nr. 1, Nr. 3 dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”.
Në pranga kanë rënë E.Sh., 19 vjeç, si dhe dy të mitur të moshës 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, iu kanë vjedhur me dhunë, disa shtetasve, shuma të ndryshme parash. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit janë autorë të dyshuar të 4 vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit, në disa lagje të Tiranës.
Gjatë kontrollit të banesës së njërit prej 17-vjeçarëve, shërbimet e Policisë, gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan cilësinë e provës materiale.
Policia po punon për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.