Atentati në Shkodër/ Autori i maskuar mbërriti me motor në lokal, pas largimit pësoi aksident!

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur këtë të hënë në Shkodër, ku mbeti një person i vrarë dhe tre të plagosur.

Mësohet se autori i ngjarjes ka mbërritur fillimisht në vendngjarje me një motor, të cilin e ka lënë ende të ndezur pranë lokalit. I maskuar, ai ka hyrë brenda lokalit dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Pas atentatit, autori është larguar me vrap në këmbë dhe më pas është futur në një automjet tip “Volkswagen” që e kishte parkuar pranë lokalit. Gjatë tentativës për t’u larguar, ai ka pësuar një aksident në dalje të Shkodrës, pranë urës së trenit.

Më pas, autori ka tentuar t’i shpëtojë policisë duke u hedhur në lumin Kir, por është kapur dhe arrestuar nga forcat “Shqiponja”. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e krimit, një kallashnikov.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.