Kristian Kola, 34 vjeç, u vra mbrëmjen e së enjtes në një atentat në zemër të qytetit të Shkodrës. Ngjarja ndodhi në ambientet e jashtme të një hoteli, ku i riu po ulej për të konsumuar kafe, kur u qëllua për vdekje nga dy persona të maskuar që udhëtonin me motor.
Autorët, të veshur me rroba të zeza dhe skafandra, kanë ndalur motorin pranë lokalit dhe kanë hapur zjarr nga një distancë e afërt, duke përdorur armë me silenciator.
Plumbat e goditën Kolën në gjoks dhe kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burime policore bëjnë me dije se viktima nuk rezulton me precedentë penalë, ndërsa pista e hetimeve mbetet ende e paqartë.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhojat, dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë së hotelit dhe bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve.
Policia ka shoqëruar disa persona dhe ka kryer kontrolle në zona të braktisura, por ende nuk është gjetur mjeti i përdorur në atentat. Mjeti i parkuar i viktimës është kontrolluar, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Sipas të dhënave paraprake, Kristian Kola punonte në biznesin e ndërtimit të familjes, dhe nuk kishte konflikte të njohura. Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje edhe familjarët për të hedhur dritë mbi motivin e krimit.
