“AstraZeneca” e pranon për herë të parë: Vaksina anti-Covid mund të shkaktojë efekte anësore të rralla

Miks Albania

“AstraZeneca” ka pranuar për herë të parë se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë. Kjo ka ardhur pas disa padive se vaksina e gjigandit farmaceutik ka shkaktuar vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste. Avokatët e palës së paditësve kanë argumentuar se vaksina ka prodhuar një efekt anësor, i cili ka pasur një efekt shkatërrues në një numër familjesh.

“The Telegraph” raporton se 51 çështje janë depozituar në Gjykatën e Lartë të Britanisë, me viktima dhe të afërm që kërkojnë dëmshpërblim nga “AstraZeneca” që vlerësohet të jetë deri në 100 milionë £. Një nga rastet u paraqit vitin e kaluar nga Jamie Scott, baba i dy fëmijëve, i cili mbeti me një dëmtim të përhershëm të trurit pasi pati mpiksje gjaku dhe një gjakderdhje në tru që e ka penguar atë të punonte pasi mori vaksinën në Prill të 2021-shit.

“AstraZeneca” ka kundërshtuar pretendimet, por nga ana tjetër ka pranuar në një dokument ligjor të dorëzuar në Gjykatën e Lartë në muajin Shkurt se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë në raste të rralla TTS (trombozën me sindromën e trombocitopenisë). TTS shkakton mpiksjen e gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve në gjak.

“Pranohet se vaksina AZ në raste shumë të rralla mund të shkaktojë TTS. Mekanizmi shkaktar nuk dihet”, thuhet në dokumentin ligjor të dorëzuar nga “AstraZenenca” në Gjykatën e Lartë.

Avokatët që përfaqësojnë familjet që kanë paditur kompaninë e barnave argumentojnë se vaksina nuk ishte aq e sigurt. Shifrat zyrtare nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) tregojnë se të paktën 81 vdekje në Mbretërinë e Bashkuar dyshohet se kanë qenë të lidhura me reagimin negativ që shkaktoi mpiksje te njerëzit që kishin gjithashtu trombocitet të ulëta të gjakut. 

“AstraZeneca” ka argumentuar më parë në dokumentet gjyqësore se pretendimet kundër kompanisë janë të gabuara. Në dosjen e mbrojtjes, kompania AstraZeenca tha se përfitimi nga vaksina ishte dhe mbetet pozitiv.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.