Arrestohet në Kosovë Gëzim Çela, i njohur si “Baroni” i Fushë Kuqes

Është arrestuar mbrëmjen e së premtes Gëzim Çela, i njohur ndryshe si baroni i Fushë Kuqes. Çela është një nga personazhet e krimit më të kërkuar në Shqipëri.

Gazetari Esido Barkaj bën me dije për Vizion Plus se arrestimi i Çelajt është bërë pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe ato të Kosovës.

Kush është Gëzim Çela?

Gëzim Çela ishte njeriu që kontrollonte trafikun e drogës që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore.

Çela u akuzua në vitin 2015-të për trafik ndërkombëtar droge, pasi në vilën e tij në Fushë Kuqe u gjet 18 kilogram kokainë.

Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drej Europës Perëndimore, përmes edhe territorit shqiptar.

Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai luante rolin e korrierit të drogës që kishte marrë në Prishtinë. Në të njëtën kohë në Prishtinë u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.

Kurse gjatë kontrolleve të ushtruara në shtëpinë e Gezim Çelës në Fushë Kuqe u gjetën 18 kiliogramë heroinë, 150 kilogramë kanabis sativa. Si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Por kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte.

Kur mbërrinte në Shqipëri droga dërgohej në shtëpinë e Gëzim Çelës, në Fushe Kuqe. Nga ku kishte si destinacion final vendet e Perëndimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Çelës, policia ka mundur të sekuestrojë 20 bidona açeton dhe 500 litra perzierës. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës.

Për Çelën ekziston një dënim nga gjykatat italiane me 11 vite burg dhe 150 mijë euro gjobë, për trafik droge.

Para 1997-ës, Çela ka qenë oficer i Forcave Speciale.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.