SPAK arrestoi mbrëmjen e djeshme dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, nën akuzë për pastrim parash dhe korrupsion pasiv, në lidhje me hetimet për privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Gjithashtu, GJKKO caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për Berishën, nën akuzën për korrupsion pasiv. Lajmi për akuzat që rëndojnë ndaj ish-kryeministrit të vendit, ka bërë jehonë edhe në mediat botërore. Kështu, disa prej tyre raportojnë:
“Abcnews” shkruan: “Ish-kryeministri shqiptar thotë se akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në marrëveshjen e tokës. Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha thotë se prokurorët e kanë akuzuar atë për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me një marrëveshje toke që përfshin një pronë në Tiranë. Berisha tha se dhëndri i tij, 50-vjeçari Jamarber Malltezi, u arrestua me të njëjtat akuza në aeroportin Tirana International. Berisha tha se ai dhe Malltezi janë të pafajshëm.
Për këto akuza unë deklaroj se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe akuza të pastra dhe tërësisht politike nga (kryeministri aktual) Edi Rama’, tha ai në një konferencë për shtyp të shtunën vonë.
Rama nuk iu përgjigj menjëherë pretendimit të Berishës”
“Associated Pres” shkruan: “Ish-kryeministri shqiptar thotë se akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash në marrëveshjen e tokës. Berisha, 79 vjeç, tha se prokuroria e ngarkuar me çështjet kundër zyrtarëve të lartë apo çështjet kryesore, e urdhëroi atë të mos largohej nga vendi.”
“The independent” shkruan: “Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se prokurorët e akuzuan atë për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me një marrëveshje toke që përfshin një pronë në Tiranë…”
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi u arrestua mbrëmjen e kaluar kur sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit. Ndalimi u bë nga SPAK në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani. Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Ndaj tij është vënë në sekuestrim edhe pasuria. Në pranga është vënë edhe ortaku i tij, Fatmir Bektashi i akuzuar për të njëjtat vepra penale. Gjithashtu, GJKKO ka caktuar dhe masë sigurie ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim dalje jashtë vendit për kryedemokratin Sali Berisha.