“Arrest me burg për Gert Shehun”

Prokuroria e Tiranës do të kërkojë masën e sigurisë burg pa afat për Gert Shehun personin që goditi me grusht në fytyrë liderin demokrat Sali Berisha.

Dosja e tij hetimore i ka kaluar Gjykatës së Tiranës, por nuk dihet ende nëse trupa gjykuese do t’ia komunikojë vendimin brenda ambienteve të Spitalit të Traumës, ku 31 vjeçari aktualisht po mjekohet, apo në sallën e gjyqit. Vendimi pritet të merret nesër.

Po të premten, pritet të dalë përgjigjja zyrtare e analizave të Institutit të Mjekësisë Ligjore pas dorëzimit të mostrave ditën e martë, që tregojnë nëse në momentin e sumit fizik, agresori ishte apo jo nën efektin e lëndëve narkotike.

Burimet bëjnë me dije se po vijon këqyrja e kamerave të sigurisë të vendeve ku ka lëvizur në tre ditët e fundit 31-vjeçari, për të parë nëse ka qenë në shoqëri të personave të tjerë ose jo. Në verifikimet që janë bërë deri tani rezulton se Shehu nuk ka pasur kontakte me njerëz të tjerë në hapësirat publike dhe nuk ka asnjë person të dyshuar që mund ta ketë kontaktuar verbalisht dhe të ketë nxitur ngjarjen.

Gert Shehu në një akt të paprecedentë goditi liderin e PD-së në marshimin e 6 dhjetorit.  Nga pamjet e siguruara nga Vizion Plus, duket qartë që Shehu e kishte paramenduar aktin e rëndë ndaj Berishës, ndërkohë që pas arrestimit ai nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për aktin  e kryer.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.