Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që pritej të mbahej ditën e sotme në Gjakovë u anulua. Ftesa e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të ndryshuar formatin e takimit duket se ka qenë arsyeja kryesore të këtij vendimi.
“Rama gjatë konferencës theksoi se Kurti nuk e kishte pranuar një tjetër ftesë të tij për të zhvilluar një takim me disa prej ministrave të kabineteve qeveritare ku në fokus do të ishin zhvillimet në veri të Kosovës”, raportoi nga Tirana gazetarja Klesiana Omeri.
E pikërisht fokusi, sipas kreut të qeverisë shqiptare duhet të jetë pikërisht në këtë çështje dhe jo “të krijohet një realitet i rremë”. Rama shtoi gjatë një konference që zhvilloi të martën mbrëma se Kosova “po tkurret çdo ditë e më shumë në sytë e ndërkombëtarëve”. E po ashtu paralajmëroi sanksione të forta ndaj Prishtinës zyrtare dhe theksoi se angazhimi i tij në këtë moment po bëhet për të shmangur këtë gjë.
Kujtojmë që kryeministri Rama i ka dërguar kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, një draft propozim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Vendimi i qeverisë shqiptare për anulimin e mbledhjes nuk është mirëpritur në Kosovë. E para që ka reaguar ka qenë qeveria e Kosovës që e ka konsideruar vendimin “të njëanshëm”.
“E para ishte qeveria e Kosovës që reagoi duke thënë se takimet mund të ndodhnin çdo ditë, edhe brenda ditës sepse kanë ndodhur edhe më parë, por është hera e parë që anulohet një mbledhje në mënyrë të njëanshme”, raportoi nga Prishtina gazetarja Blerta Dalloshi Berisha.
Vendimin për anulimin e mbledhjes, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka konsideruar alarmuese dhe ka hedhur kritika drejt kryeministrit Albin Kurti.
“Kritikat janë hedhur në anën e kryeministrit Kurti nga ana e PDK-së, duke thënë se nuk i ka mbajtur raportet as me Shqipërinë”, raporti Blerta Dalloshi Berisha.
Një reagim ka pasur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që thotë se Kryeministri Kurti është duke “e izoluar veten madje edhe nga aleati ynë, apo vendi siç është Shqipëria”.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur një reagim, por jo direkt sa i përket anulimit të mbledhjes.
“Ka reaguar duke thënë që Kryeministri Kurti është duke izoluar veten dhe duhet të ketë bashkërendim me ndërkombëtarët sa i përket çështjes së veriut të Kosovës”, raportoi gazetarja Dalloshi Berisha.