Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë bleu 15 milionë euro, monedha e huaj përsëri në rënie

Shumat e konsiderueshme të Euros të tërhequra nga tregu prej Bankës së Shqipërisë nuk po japin efekte domethënëse në rritjen e kursit të monedhës europiane.

Banka e Shqipërisë zhvilloi ditën e mërkurë ankandin e planifikuar të blerjes së valutës, për nevojat e administrimit të rezervës valutore.

Shuma e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes pesë dhe nëntë milionë eurove, ndërsa Banka e Shqipërisë realizoi blerje në vlerën e sipërme të intervalit, për gjithsej 9 milionë euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 106.72 dhe 107.13 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 106.99 lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 6 milionë eurosh, me kursin mesatar të blerjeve në raundin e parë, prej 106 lekësh. Në total, shuma e blerë në ankandin e datës 21 maj arriti në 15 milionë euro.

Ankandi i zhvilluar këtë javë ishte i llojit forward (për blerje në të ardhmen) njëmujor. Për vitin 2023, Banka e Shqipërisë zynon të zhvillojë më tej përdorimin e marrëveshjeve forward, që vlerësohen si një instrument që mund t’i nxisë bankat tregtare të ndërmarrin hapa në drejtim të zhvillimit të tregut të parasë.

Nga 16 ankande të parashikuara, gjysma e parashikohen me marrëveshje forward dhe gjysma me marrëveshjet klasike spot (me blerje në datën e ankandit). Në dy vitet e mëparshme, Banka e Shqipërisë ka përdorur zakonisht marrëveshjet forward me afat njëjavor, ndërsa për vitin 2023 që marrëveshjet forward do të kenë një afat më të gjatë, njëmujor.

Pavarësisht blerjes së një shume të konsiderueshme nga Banka e Shqipërisë rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun vazhdoi edhe ditën e djeshme dhe monedha europiane këmbehej mesatarisht me 106.78 lekë. Kjo tendencë ishte dukur qartë edhe në muajt e mëparshëm. Gjithsej, në dy ankandet e muajit maj, Banka e Shqipërisë bleu 32 milionë euro në tregun e brendshëm financiar, ndërsa në muajin prill pati blerë 25.2 milionë euro të tjera.

Megjithëse banka qendrore ka tërhequr të paktën 80 milionë euro nga tregu në tre muajt e fundit, kursi i Euros me Lekun gjatë këtyre muajve ka pësuar rënie të vazhdueshme. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e Euros në tregun valutor është shumë e lartë dhe kërkesa e Bankës së Shqipërisë nuk ka luajtur rol të dukshëm në frenimin e rënies së kursit të monedhës europiane.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë janë pjesë e programit të ankandeve për menaxhimin e rezervës valutore dhe nuk kanë qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Këtë vit, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të zhvillojë gjithsej 16 ankande, në të cilat parashikon të blejë një shumë midis 160 dhe 220 milionë eurove për vitin 2023. Kjo shumë përfaqëson një rritje të konsiderueshme në raport me shifrat e vitit të kaluar, kur blerjet e valutës ishin afërsisht 140 milionë euro.
Në fund të muajit prill, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.95 miliardë eurove, në rritje të lehtë me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.