Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Lulzim Bashës, i cili sot deklaroi se ai dhe deputetët që e mbështesin atë nuk do ta votojnë amnistinë penale të enjten në Kuvend.
Duke folur për gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së Asamblesë së PS, Rama tha se nuk është në dijeni ende për axhendën e nesërme të Parlamentit, ndërsa Bashës i përmendi orarin e gjumit.
Kryeministri Rama: Nuk jam në dijeni në këtë moment, të axhendës nesër të Parlamentit, sepse juve jeni të lirë të mos ta besoni por ne i kemi punët e ndara. Unë jam në Parlament një deputet që shkoj edhe ndjek çfarë është përgatitur. Ndërkohë që nuk e di se si është axhenda nesër, di vetëm faktin që ëstë bërë një diskutim mbi një keqkuptim total që është krijuar dhe është adresuar menjëherë sot nga ministri i Drejtësisë, ashtu sikundër është adresuar dhe në komision.
Gazetarët: Lulzim Basha deklaroi se nuk do t’i jepte votat për amnistinë?
Kryeministri Rama: Në çfarë ore e tha? Sa ishte ora?
Gazetarët: Paraditen e sotme. Rreth orës 11:00.
Kryeministri Rama: Ka qenë akoma përgjumësh.
Lulzim Basha deklaroi sot se së bashku me deputetët që e mbështesin do të bojkotojnë seancën parlamentare të së enjtes kur do të votohet ligji për Amnistinë Penale pasi sipas tij nuk u morën parasysh amendamentet e demokratëve. Gjatë diskutimit të projektligjit në mbledhjen online në Komisionin e Ligjeve socialistët pranuan pjesërisht propozimin e Enkelejd Alibeajt për të amnistuar protestuesit e opozitës në vite, por jo ata që akuzohen për shkatërrim të pronës si dhe goditjen e forcave të rendit.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ripërsëriti sot se amnistia penale nuk do të përdoret për të nxjerrë nga burgu zyrtarë të korruptuar, veprat e të cilëve po hetohen nga Gjykata e Posaçme e Antikorrupsionit.