Policia e Delvinës ka reaguar pas aksidentit të rëndë me dy viktima të ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Delvinë-Sarandë.
Viktimat janë 2 vajza nga fshati Kopaçezë, bashkia Delvinë dhe janë identifikuar si Ela Dhimaku, 22 vjeç drejtuese e makinës dhe Rezi Dhimaku, 20 vjeç pasagjere.
Gjithashtu e plagosur rëndë ka mbetur edhe Antonela Zhupa, 24 vjeç pasagjere në mjet.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë.
Shtetasi K. N., 23 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen Ela Dhimaku.
“Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën drejtuesja e automjetit “Lancia”, shtetasja E. Dh., 22 vjeçe, së bashku me pasagjeren shtetasen R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa pasagjerja tjetër në këtë automjet, shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, ka mbetur e dëmtuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, njoftoi zyrtarisht policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
