Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë ku fatkeqësisht humbën jetën tre persona, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur.
Klevis Ruçaj, shoferi 20 vjeçar i Audit A8 që shkaktoi aksidentin e rëndë në rrethrrotullimin e TEG-ut, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës disa orë pas aksidentit, ndërkohë njëra nga vajzat që po udhëtonte me 20 vjeçarin humbi jetën në vendin en gjarjes, ndërsa tjetra teksa ishte duke u transportuar për në spital.
20-vjeçari gjatë momentit të aksidentit ishte me shpejtësi të madhe dhe nga videot e postuar nga vetë ai në rrjetet sociale u pa se i pëlqente adrenalina dhe shpejtësia.
Por megjithëse kishte pak kohë që ishte drejtues mjeti, ai ishte ndëshkuar 5 herë nga policia për shkelje të ndryshme.
- Ndëshkuar për parakalim dhe veprime të ndaluara më 6 shtator 2022
- Nuk zbatoi sinjalistikën 7 tetor 2022.
- Gjobitur për shpejtësi 15 nëntor 2022.
- Është kapur me celular në drejtimin e mjetit 9 dhjetor 2022.
- Pa siguracion dhe nuk zbatoi sinjalistikën 27 janar 2022.
Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme ku Audi luksoz model A8 ka dalë nga rruga, ka çarë hekurat e rrethrrotullimit pranë TEG dhe ka rënë në autostradën poshtë tij, ku ka aksidentuar një mjet tjetër. Tre personat që ndodheshin në të janë plagosur dhe ndodhen në spital.
Kurse Klevis Ruçaj dhe dy pasagjeret vajza që ai kishte në makinën e tij, kanë ndërruar jetë. Duke qenë se makina është shkatërruar plotësisht dhe është shtypur nga përplasja e fuqishme, dy vajzat janë ende të paidentifikuara dhe Policia nuk ka dalë me njoftim zyrtar.