Aksident tragjik në Vlorë, makina përplas motorin, humb jetën 17-vjeçari

Miks Albania

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me motor.

Viktima është L.Sh, 17 vjeç.

Fatkeqësisht, përplasja ka qenë fatale dhe 17-vjeçari ka ndërruar jetë pavarësisht përpjekjes së mjekëve.

Sipas burimeve nga vendngjarja, për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.

Familjarët e të riut kane akuzuar mjekun ligjor dhe prokurorin se kanë zvarritur procedurat çka ka sjellë edhe vonesat për tërheqjen e trupit të të riut.

“Unë jam gjyshi i të ndjerit. Djali i vajzës time u aksidentua mbrëmë në orën 12 të natës dhe u soll në morgun e spitalit të Vlorës. Kemi rreth 8 orë këtu dhe nuk vjen asnjë mjek për të bërë veprimet e nevojshme. Nuk e dimë çfarë shteti është ky, shtet që nuk punon. Rrinë 30 policë këtu e askush nuk merr asnjë masë për mjekun ligjor. Të vij unë e të marr kufomën pa ekspertizë? Një makinë ma vrau djalin me 220 km në orë dhe asnjë polic nuk ishte në vend. Ky nuk është shtet, është turp!” është shprehur gjyshi i të miturit.

32-vjeçari që drejtonte makinën tip “Porsche”, Haiti Bajramaj, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe me shpejtësi të lartë. Ai është shoqëruar nga policia per tu marre në pyetje në komisariat.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.