Afganistani goditet nga një tërmet vdekjeprurës

Një tërmet prej 6.3 shkallësh të Rihterit ka goditur perëndimin e Afganistanit, duke vrarë 14 persona dhe plagosur 78 të tjerë, tha një zyrtar, përderisa ka paralajmërime se numri i viktimave të rritet për shkak se është raportuar për rrëshqitje të dheut dhe për njerëz që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit ishte 40 kilometra në veriperëndim të qytetit më të madh të rajonit të Heratit. Tërmeti i fuqishëm u pasua me disa pasgoditje midis 4.6 dhe 6.3 shkallësh të Rihterit.

Drejtori i departamentit të shëndetësisë në provincën Herat, Mohammad Taleb Shahid, konfirmoi për AFP-në se 14 persona kanë vdekur dhe 78 janë plagosur, duke shprehur frikën se numri i viktimave mund të rriten.

“Këta janë numrat që janë sjell në spitalin qendror deri më tani, por nuk janë shifrat finale”, tha ai. “Kemi informacione se ka njerëz të bllokuar nën rrënoja”.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së në një raport preliminar paralajmëroi se qindra persona mund të kenë vdekur.

“Ka të ngjarë të ketë numër të konsiderueshëm të viktimave dhe që fatkeqësia të përhapet. Në ngjarjet e kaluara të këtij niveli është dashur përgjigje në nivel rajonal dhe kombëtar”, u tha në raport.

Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive kanë raportuar se në zonat rurale dhe malore ka pasur rrëshqitje të dheut.

Herati gjendet 120 kilometra në lindje të kufirit me Iranin dhe konsiderohet kryeqyteti kulturor i Afganistanit.

Sipas të dhënave të vitit 2019 të Bankës Botërore, në provincën Herat jetojnë 1.9 milion banorë.

Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçmas në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet afër pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1.000 persona u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet prej 5.99 shkallësh goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.

Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit prej 6.5 ballësh që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.

Afganistani veçse po përballet me krizë humanitare, për shkak të ndalimit të ndihmës së huaj pas rikthimit të talibanëve në pushtet më 2021./REL

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.