Një djalë shtatë vjeçar nga Polonia dhe nëna e tij vdiqën tragjikisht pasi ranë nga një anije në Detin Baltik, siç njoftuan autoritetet suedeze që po hetojnë rastin.
Sipas mediave të huaja, tragjedia ndodhi të enjten, kur fëmija ra në ujë dhe nëna vendosi të hidhej pas tij, tha zëdhënësi i Administratës Detare Suedeze Jonas Franzen për Associated Press.
Siç ka treguar ai, fëmija ka rënë nga një lartësi prej rreth 20 metrash.
Gruaja dhe fëmija u transportuan me avion në spitalin e Karlskrona, përpara se të shpalleshin të vdekur më vonë.
Në një deklaratë të shkurtër të premten, Zyra e Prokurorit Publik të Suedisë tha se kishte nisur një “hetim paraprak për incidentin, por nuk ka asnjë të dyshuar në këtë rast”.
Anijet dhe helikopterët nga Suedia dhe nga njësitë e NATO-s që ishin në zonë ndihmuan në operacionin e shpëtimit.