Policia ka nisur verifikimet për dy punonjëset e pikës së këmbimit valutor, e cila të shtunën ra pre e grabitjes. Dyshohet se autori ende i paidentifikuar kishte dijeni për shumën e parave që ndodheshin në pikë.
Sipas Report TV, verifikimet e dy punonjësve kanë nisur me dyshimet nëse ndonjë prej tyre ka bashkëpunuar me autorin nisur edhe nga dera që ka qenë e hapur për t’u futur autori lehtësisht në vendin ku ndodheshin paratë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re, ku një person i paidentifikuar, i cili mbante një send të dyshuar si armë zjarri, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor duke marrë një shumë parash dhe më pas është larguar me një biçikletë. Shuma monetare e marrë në këtë pikë këmbimi është rreth 30 mijë euro.
Policia e Tiranës vendosi 5 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që mund të japë informacion të vlefshëm për identifikimin e autorit në numrin: 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë.