Mbytja e anijes me qindra refugjatë në Greqi, të mbijetuarit fajësojnë rojen bregdetare

Të mbijetuarit nga tragjedia e mbytjes së anijes në brigjet greke kanë fajësuar rojën bregdetare, sipas një hetimi të CNN.

“Unë ende mund të dëgjoj zërin e një gruaje që thërret për ndihmë,”  rrëfeu një e mbijetuar nga mbytja e anijes me emigrantë në brigjet e Greqisë.

Me qindra njerëz ende të zhdukur pasi anija e mbingarkuar u përmbys në Mesdhe më 14 qershor, dëshmitë e atyre që ishin në bord përshkruajnë një pamje kaosi dhe dëshpërimi. Ata gjithashtu vënë në pikëpyetje versionin e ngjarjeve të rojes bregdetare greke, duke thënë se më shumë jetë mund të ishin shpëtuar.

CNN ka intervistuar shumë të mbijetuar nga mbytja e anijes dhe të afërmit e tyre, të cilët kanë dashur të mbeten anonimë për arsye sigurie dhe frike.

Një i mbijetuar nga Siria, të cilin CNN e identifikon si Rami, përshkroi se si një anije e rojes bregdetare greke iu afrua peshkarexhës disa herë në përpjekje për të lidhur një litar për të tërhequr anijen, por që përfundoi tragjikisht.

“Herën e tretë që na tërhoqën, varka u lëkund djathtas dhe të gjithë po bërtisnin, njerëzit filluan të binin në det dhe anija u përmbys dhe askush nuk pa më njeri,” tha ai.

Roja Bregdetare Greke ka mohuar vazhdimisht se ka tentuar të tërheqë mjetin lundrues. Një hetim zyrtar për shkaqet e tragjedisë është ende në vazhdim.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.